Lufta e Ftohtë me Kubën në Karaibe ka mbaruar më në fund dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike, pas më shumë se gjysmë shekulli konfliktesh.
Kanë rënë dakord të rihapin ambasadat e tyre në kryeqytetet përkatëse më 20 korrik.
Për shumë kohë, Uashingtoni e ka parë Kubën komuniste si një “pengesë të afërt”.
Kjo do të jetë një pjesë e rëndësishme e punës së Obamës, megjithëse Kongresi me shumicë opozitare mund t’i bllokojë disa nga përpjekjet e tij.raporton ATSH.
Presidenti i ardhshëm me shumë gjasa, ai republikan, Jeb Bush, djali dhe vëllai i presidentëve të SHBA-së, me një ankesë në Twitter të martën tha se rihapja e ambasadës së Shteteve të Bashkuara “do të legjitimojë represionin në Kubë e nuk do të promovojë çështjen e lirisë dhe demokracisë”.
Ligjvënësit e Partisë Konservatore e kanë bërë të qartë se Obama do të hasë vështirësi në përzgjedhjen e një ambasadori, i cili duhet të miratohet nga Senati I kontrolluar nga republikanët.
Shfuqizimi i embargos së vjetër të vënë nga SHBA-ja me Kubën do të jetë proces i vështirë pavarësisht shpresave të kompanive amerikane, turistëve dhe sigurisht të pasionuarve pas duhanit dhe rumit se embargoja do të hiqet.
Pajtimi me Kubën ka qenë për një kohë të gjatë në agjendën e Obamës, i cili priti deri në mandatin e dytë për ta treguar këtë.
Obama dhe presidenti kuban Raul Castro befasuan botën në dhjetor, kur shpalosën plane për të rikthyer marrëdhëniet mes tyre, rezultat i bisedimeve sekrete për 18 muaj me ndërmjetësimin e Vatikanit.
Obama, me një ton gëzimi tha në spanjisht “Todos somos americanos” ose “Të gjithë jemi amerikanë”.
Në prill, dy liderët u takuan në Panama City gjatë punimeve të Samitit të Amerikave duke bërë histori sërish.
Castro, 83 vjeç, vëllai i liderit të sëmurë revolucionar Fidel Castro, 88 vjeç, rikujtoi incidentet ku përfshihen përpjekjet e CIA-s për të vrarë vëllain e tij dhe invazionin e dështuar të vitit 1961 nga të dëbuarit kubanezë në Gjirin e Derrave.
“Sipas mendimit tim, presidenti Obama është një person i ndershëm. Mendoj se sjellja e tij lidhet me të kaluarën e tij modeste”, thotë Castro.
SHBA-ja ka qenë e izoluar ndërkombëtarisht për vite me radhë në lidhje me politikat e saj të pareshtura me Kubën.
Papët gjithashtu kanë vizituar Havanën dhe kanë dënuar embargon tregtare të vendosur nga presidenti i SHBA-së, John F. Kennedy.
Në rrugët e Havanës, qytetarët e zakonshëm kubanezë kanë shpresa të mëdha për daljen nga varfëria.
Tashmë, turizmi amerikan ka bërë një zhvillim të madh që prej muajit janar, pavarësisht kufizimeve për udhëtim.
Në zonën e vjetër të Havanës si edhe qytetet e tjera koloniale si Trinidadi, në qendër të Kubës, po lulëzon biznesi me vizitorët amerikanë.
Shumë turistë perëndimorë po përgatiten me nxitim të vizitojnë Kubën për të parë sesi kanë qenë gjërat atje për dekada me rradhë e të shëtisin me limuzinat legjendare të ishullit të viteve ’50, përpara se investitorët e huaj të kalonin aty.
