Është nënshkruar sot memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Odës Ekonomike të Kosovës dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, me qëllim të hulumtimit të tregut të punës, trajnimit dhe certifikimit të punëmarrësve dhe ndërmjetësimi në punësime.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, tha me këtë rast se kjo marrëveshje është e veçantë për faktin se po hyhet në një partneritet të ri me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe se qëllimi i këtij memorandumi sipas tij në disa pika është substancial për zhvillim ekonomik.
“Ky memorandum i bashkëpunimit shfaq gatishmëri dhe vullnet për partneritet dhe dialog publiko-privat. Ky është obligim që na sfidon në këtë fazë duke pasur parasysh aspektin social dhe trendët negative për punësim në Kosovë”, tha kryetari i OEK-ut.
Sipas tij, iniciativa e ministrit Abrashi ka qenë që vërtet të forcohet dialogu me sektorin provat dhe të avancohet partneriteti në gjetjen e mundësive të reja për të kontribuar në aspektin social.
“Në qoftë se mendohet të ketë zhvillim ekonomik, kjo duhet të jetë e orientuar edhe në ngritjen profesionale ose aftësimin e fuqisë punëtore, për të punësuarit dhe për ata që do të punësohen në të ardhmen”, tha Gërxhaliu.
Kreu i OEK-ut tha se çdo ditë kanë marrëveshje, por ky memorandum me MPMS beson se do të implementohet në tërësi.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se duke pasur parasysh problematikën dhe sfidat kryesore në shoqërinë kosovare që kanë të bëjnë me mirëqenie dhe punësim, Qeveria dhe Ministria mendojnë se nuk kanë “shumë kohë për të humbur dhe për t’i realizuar këto objektiva, këto synime në kohë sa më të shkurt duhen partner për mes politikave të mira”.
Sipas Abrashit, për të reaguar ndaj kërkesave të tregut dhe ndaj kërkesave të punëkërkuesve duhet fleksibilitet më i madh dhe të mendohet që përmes partnerëve të reagohet ndaj këtyre kërkesave.
“Se çfarë politikash zhvillojmë, si i ndërmjetësojmë punësimet dhe si ta ndihmojmë publikun pà «r mundësitë për punësim… ne kemi reaguar me këtë marrëveshje me Odën Ekonomike të Kosovës”, tha Abrashi.
Sipas tij, kjo marrëveshje ndërmjet MPMS dhe Odës i hap rrugë mirëqenies dhe zhvillimit në përgjithësi.
