Kosova vazhdimisht ka humbur fuqinë konkurruese të prodhimeve dhe të investimeve të reja këtu, si shkas i politikave fiskale të shtrenjta për bizneset vendore që janë aplikuar nga shteti. Kështu u tha në Aleancën Kosovare të Bizneseve gjatë një debati ndërmjet bizneseve vendore dhe Ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajramimetemë “Qeveria e Kosovës në funksion të zhvillimit të Ekonomisë”.
Disa prodhues vendor u ‘shfryen’ para Ministres Bajrami se pakoja e re fiskale nuk po gjen zbatim karshi kërkesave të tyre, për të cilat vërejtje edhe përfaqësuesit e Qeverisë u pajtuan dhe u shprehen se këto do të jenë të tej kalueshme.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve(AKB), Agim Shahini, theksoi se Qeveria Kosovës duhet të jetë parner i përhershëm me bizneset për të ankesat dhe zërin e tyre.
Kreu i AKB-së tha se vitin e kaluar ka pasur rënie të investimeve dhe ka pasur më pak përpjekje për eksport. Sipas tij, Qeveria Mustafa ka obligime të mëdha ndaj ekonomisë dhe biznesit.
Ndërsa, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, theksoi me se institucionet dhe bizneset ende nuk janë adaptuar me pakon e re fiskale dhe për këtë janë duke u shfaqur disa probleme.
Sipas saj, grupe të tëra ekspertësh po punojnë që pakoja e re të implementohet në mënyrë më të mirë të mundshme që mos të ketë probleme, por kjo të jetë në favor të biznesit dhe jo në disfavorin e tyre.
Sipas agjendës ishte paraparë të jetë ministri i Financave Avdullah Hoti në këtë debat, por ai u zëvendësua nga këshilltari i tij, Ali Lushi, i cili tha se pakoja e re fiskale ka për qëllim zhvillimin ekonomik.
Sylejman Konushefci, prodhues i vajit në vend, thotë se që nga 1 shtatori është duke paguar TVSh për lëndën e parë 18 për qind, dhe ende nuk është lëshuar leja nga Administrata Tatimore e Kosovës për të futur lëndën e parë pa TVSH.
Edhe Muharrem Osmani, prodhues i detergjentit nga Mitrovica thotë se ka hasur probleme gjatë importit të lëndës së parë me TVSh, i cili është i detyruar të importoj lëndën e parë me 18 për qind.
