Para 14 vitesh bota demokratike u vu para sprovës së terrorizmit global

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, përmes një mesazhi ka përkujtuar 14- vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në letrën e tij thuhet se 14 vjet pas këtyre akteve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë bota demokratike, vazhdojnë të jenë të bashkuara në luftën kundër të keqes, duke garantuar triumfin e vlerave të demokracisë përballë kërcënimit permanent terrorist.
“Para 14 vjetësh, më 11 shtator 2001, kombi amerikan ishte cak i sulmeve më të tmerrshme terroriste që bota demokratike kishte përjetuar ndonjëherë. Mijëra njerëz të pafajshëm u vranë, objekte të rëndësishme u shkatërruan dhe bota demokratike u vu para sprovës së madhe të terrorizmit global. Sulmet e 11 shtatorit 2001 na tmerruan të gjithëve, por nuk arritën për asnjë moment të thyejnë shpirtin e paepur të kombit amerikan, i cili u ringrit edhe më i fuqishëm dhe më i vendosur kundër të keqes, duke dëshmuar fuqinë, vizionin dhe unitetin global në mbrojtje të vlerave të shenjta të lirisë dhe të civilizimit perëndimor”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Mustafa.
Sipas tij, në këtë ditë përkujtimi dhe krenarie, qytetarët e Kosovës qëndrojnë bashkë dhe solidarizohen me familjet e viktimave dhe mbarë popullin amerikan.
“Kosova dhe populli i saj janë përjetësisht mirënjohës për kontributin e pazëvendësueshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për çlirimin e Kosovës dhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit tonë. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë kombin amerikan”, thuhet në fund të mesazhit të Mustafës.
Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona. Në mesin e viktimave në kullat binjake ishin 2.752 persona prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme.
11 shtatori