(E plotësuar )Në prezantimin e hulumtimeve lidhurme zgjedhjet e brendshme partiake në Kosovë, si dhe integrimin e partive politike në organizatat ndërkombëtare, u tha që partitë politike vazhdojnë të mbesin të fokusuara tek lideri.
Zenun Pajaziti nga PDK-ja tha se përvoja e Kosovës në demokraci është ende e re krahasuar me vendet e rajonit dhe po bëhet mjet në transparencën e partive politike.
Ndërsa, Teuta Sahatqija nga LDK-ja tha se partitë politike kanë kaluar në një fazë të transformimit nga lëvizjet gjithëpopullore siç ishte LDK, në parti moderne.
Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, nga NISMA tha se në demokratizimin e shtetit duhet të ndikojnë partitë politike dhe jo e kundërta.
Sipas tij, partitë politike pas luftës kanë qenë më demokratike se tani dhe se pushteti i partive politike vazhdon të mbetet i koncentruar te lideri.
Në prezantimin e këtyre hulumtimeve u dhanë edhe disa rekomandime në lidhje me temat e prezantuara nga ana e organizatorëve të saj.
…………………..
Tryezë për partitë politike
Fondacioni Konrad Adenauer Stiftung (KAS) dhe Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) organizojnë sot tryezën me temë “Subjektet Politike në Kosovë: Zgjedhjet brendapartiake, Integrimi në organizatat ndërkombëtare, politikëbërja dhe vendimmarrja”, njoftoi KIPRED-i.
Në tryezë do të prezantohen punimet hulumtuese: “Zgjedhjet brendapartiake në Kosovë”, me autorë Bekim Baliqi dhe Adem Beha nga Universiteti i Prishtinës, “Integrimi i partive politike të Kosovës në organizatat ndërkombëtare të partive politike: Shpjegimi i vonesës”, me autor Mentor Agani nga KIPRED-i dhe “Politikëbërja dhe vendimmarrja në partitë politike të Kosovës: Gratë, rinia dhe komunitetet etnike”, me autor Lulzim Peci nga KIPRED-i.
Këto punime janë të përkrahura nga Konrad Adenauer Stiftung.
Në tryezë do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të katër subjekteve kryesore politike në Kosovë, dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Tryeza e rrumbullakët do të mbahet në Sallën e Konferencave Orion, me fillim në orën 09:30.
