Në qytetin Shengen, në Luksemburg, sot në praninë e zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Evropian u shënua 30 vjetori i nënshkrimit të marrëveshjes, me të cilën u hoqën kontrollet kufitare në 26 prej 28 shteteve anëtare të unionit.
Kryetari i Parlamentit të Evropës, Martin Shulc, deklaroi se marrëveshja e Shengenit ka ndryshuar gjithë historinë e Evropës dhe ai këtë marrëveshje e krahasoi edhe me rëndësinë e rënies së murit të Berlinit.
Shulc krijimin e zonës Shengen e cilësoi si fillim të procesit, i cili si epilog përfundimtar do të ketë rrënimin e të gjitha pengesave politike, sociale dhe kulturore brenda Bashkimit Evropian.
Në tubim foli edhe Kryetari i Komisionit të Evropës, Zhan Klod Junker, e në fund të ceremonisë u shpalos edhe skulptura në formën e tri shtyllave me yje, të cilat simbolizojnë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Marrëveshja e Shengenit u nënshkrua më 14 qershor të vitit 1985 nga 10 shtete të Bashkësisë së atëhershme Ekonomike të Evropës, e më vonë atyre ju bashkua edhe tri shtete, të cilat nuk janë anëtare të unionit: Zvicra, Norvegjia dhe Islanda. Të vetmet shtetet anëtare të unionit që nuk i janë bashkuar zonës Shengen janë Britania dhe Republika e Irlandës./21Media
