Ka përfunduar sot afati shtesë për regjistrimin e objekteve pa leje. Gjatë këtij afati mbi 332 mijë kërkesa pwr legalizim janë paraqitur në tërë territorin e Kosovës.
Kështu deklaroi sot, drejtori i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit, Blerim Çeku , i cili e quajti si një proces shumë të suksesshëm duke thënë se janë regjistruar shumica absolute e objekteve pa leje.
Edhe pse në pjesëmarrjen e këtij regjistrimi qasja e qytetarëve ka qenë e kënaqshme, sipas Çekut, ka pasur disa mangësi të ndjeshme sidomos në komunat veriore. Mirëpo, më e rëndësishmja sipas tij është se edhe në komunat e banuar me serb ka pasur aplikime për regjistrimin e objekteve pa leje.
Sipas tij, në të gjitha komunat serbe paraqitja e objekteve pa leje kalon numrin 5 mijë.
Ndërsa afatin shtesë të legalizimit, Çeku e justifikoi duke thënë se ka qenë shumë i nevojshëm, pasi që e ka mbi dyfishuar numrin e aplikimeve për objekte pa leje që kanë qenë deri me 5 shkurt.
E sa u përket atyre objekteve të cilat nuk janë regjistruar, sipas tij, në bazë të ligjit është obligim i komunave që t’i regjistrojnë ato në regjistër.
Qytetarët e Republikës së Kosovës do të kenë mundësi dhe kohë për ankesa deri me datën 15 shtator, ku pastaj fillon edhe procesi i legalizimit.
Ky proces i regjistrimit ishte i paraparë që të përfundonte me 5 shkurt, mirëpo Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë e kishte parë të rëndësishme vazhdimin e saj deri në ditën e sotme, ngase deri në atë datë ishin të paraqitura një numër i vogël i objekteve pa leje.
