Ka përfunduar protesta e veteranëve të UÇK-së. Disa dhjetëra sish protestuan sot të pakënaqur me efikasitetin e Komisionit për verifikimin e statustit të veteranëve dhe me kërkesën që publikimi i listave të bëhet sa më parë.
Veteranët nuk caktuan se kur do të jetë vazhdimi i protestës së tyre, por thanë se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre, protestat do të jenë më radikale.
Protestuesit veteranë të UÇK-së thyen rrethojën para Qeverisë
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi ka mbyllur protestën, duke u larguar nga vendi ku protestohej, por disa nga pjesëmarrësit e saj kanë vazhduar të qëndrojnë aty edhe më tutje.
Disa dhjetëra veteranë të UÇK-së kanë filluar sot një protestë para Qeverisë së Kosovës, me kërkesa që të bëhen publike listat e verifikuara mbi statusin e luftëtarëve.
Kryetari i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të veteranëve, Xhevdet Qeriqi, që i prin protestës, tha para pjesëmarrësve se në këtë mënyrë po manifestojnë pakënaqësinë me efikasitetin e munguar të komisionit për verifikimin e statusit të veteranëve duke kërkuar kështu përshpejtimin dhe shpalljen sa më parë të listave.
Ai tha se do të protestohej një orë e pastaj të bëhet shpërndarja e tyre, por shtoi se nëse nuk përmbushet kërkesa e tyre sërish do të protestojnë dhe se protesta mund të përshkallëzojë me forma të tjera.
Ndërkohë një grup protestuesish shpërtheu rrethojën para Qeverisë dhe depërtoi deri para hyrjes në ndërtesë, para të cilës kishte vetëm policë të sigurimit të objektit.
Pas thirrjes së Qeriqit që të kthehen në vendin ku po protestonin të tjerët, ata me gjithë hezitimin përfillën thirrjen dhe u kthyen pas.
Ndërkohë para objektit të Qeverisë arritën pjesëtarë të Njësisë Speciale prej nga po vëzhgojnë zhvillimin e protestës.
Protestuesit ende nuk janë shpërndarë, por pritet që kjo të ndodhë brenda afatit të paraparë të zhvillimit të saj, pra në orën 13.
