Përkujtohen viktimat e masakrës në Lagjen e Boshnjakëve

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri me bashkëpunëtorë, kanë bërë të martën homazhe në ‘Shtëpinë Muze’ në Lagjen e Boshnjakëve, ku 16 vjet më parë forcat serbe vranë e masakruan 24 civilë të pafajshëm.
“Do të dëshiroja që gjaku i tyre i derdhur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës të mos politizohet, por t’i bashkoj të gjitha partitë politike, institucionet dhe qytetarët dhe sakrifica e tyre të na nxis që të ecim përpara”, ka thënë mes tjerash Bahtiri.
Duke vlerësuar se institucionet janë në rrugë të mirë drejt normalizimit të jetës në Mitrovicë, që është qytet më specifik se qytetet tjera të vendit, ai ka garantuar se përvjetori tjetër do të jetë më ndryshe.
“Ne si institucione kemi për obligim që ti nderojmë ata që ranë për liri dhe familjet e tyre, prandaj ju garantoj se përvjetori i ardhshëm nuk do ta gjejë këtë shtëpi muze në këtë gjendje, por në gjendje shumë më të mirë”, theksoi Bahtirti.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjetur, Prenkë Gjetaj, tha se kjo shtëpi muze është simbol i përkujtimit të sakrificës për gjeneratat e reja, që të kuptojnë se liria nuk u fitua pa sakrifica të jashtëzakonshme.
Ndërkaq, kryetari i Këshillit koordinues të shoqatave për persona të pagjetur, Bajram Çerkini, tha se institucionet dhe qytetarët e vendit kanë obligim ndaj familjeve të të pagjeturve dhe duhet të angazhohen edhe më shumë për ndriçimin e fatit të tyre.
Në anën tjetër, në emër të familjarëve të pranishmit i përshëndeti Fevzi Beqiri, i cili kritikoi pushtetin e kaluar që e kanë lënë ‘Shtëpinë Muze’ në gjendje të mjerueshme. /KosovaPress/