Krahas përleshjeve të përgjakshme mes forcave turke dhe kryengritësve kurdë në Turqi, përleshje mes turqve dhe kurdëve pati edhe në Zvicër, me ç’rast me dhjetëra kurdë u lënduan, pasi që një turk hyri me automjet në turmën e protestuesve kurdë.
Në Bernë të Zvicrës të shtunën në mbrëmje pati përleshje mes nacionalistëve kurdë dhe turqë, me ç’rast u lënduan me dhjetëra persona, ndërsa një turk me automjet hyri qëllimisht në turmën e protestuesve kurdë.
Video-xhirimet tregojnë se si nacionalisti turk, pa frenuar fare, hyn në turmën e njerëzve dhe si të tubuarit synojnë të arratisën, për t’iu shmangur automjetit.
Ngasësi i automjetit është dërguar i lënduar në spital, ndërsa nuk ka të dhëna për atë se sa persona janë lënduar si pasojë e aksionit të tij.
Autoritetet në Bernë kishin lejuar protestën e organizatës Unioni i Demokratëve Turko-Evropianë, i afërt me partinë në pushtet në Turqi, AKP, të presidentit turk, Rexhep Tajib Erdoan. Megjithatë, para fillimit të tubimit, në shesh filluan të tubohen qindra kurdë, në shenjë proteste kundër tubimit të turqve. Pasi që kurdët refuzuan që të largohen nga aty dhe të zhvillojnë tubimin në një vend tjetër, ashtu siç propozuan autoritetet, policia ndërhyri për të shpërndarë tubimin e tyre. Gjatë ndërhyrjes u lënduan katër policë./ 21 Media
