Përurohet “Tirana Bussines Center”

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Kryeministri Rama dhe kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj kanë marrë pjesë sot në inaugurimin e nisjes së punimeve të “Tirana Business Park”, një projekt i investitorëve gjermanë në Vorë (Rinas), që pritet të punësojë 10 mijë vetë.
Gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet kryeministri Rama e ka cilësuar këtë si një projekt vizionar, ndërsa tha se nga investimi prej 100 milionë euro parashikohet që deri në vitin 2020 të punësohen 10 mijë persona, dhe se ky do të jetë një nyje lidhëse për ekonominë rajonale.
“Tirana Business Park është një nismë e re, me një drejtim të ri të krijimit praktikisht të një oazi të një qyteti të vogël praktikisht brenda një qyteti të madh. Potencial i këtij oazi është një të kthehet në një nyje nevralgjike për ekonominë shqiptare por unë besoj edhe për ekonominë rajonale. Familja që ka investuar, dhe projektuar një investim rreth 100 milionë eurosh deri në vitin 2020 me të paktën 10 mijë të punësuar, është një nga ato histori suksesi të biznesit familjar në Gjermani. Besoj që për ne është fat që më në fund ky investim mori rrugë”, tha kryeministri Rama.
Por duke përuruar Tirana Business Park, kryeministri Rama ka bërë edhe një tjetër deklaratë që shkon përtej investimit në fjalë. Rama tha se ky investim është shprehje e qartë e vetëdijes së Evropës për mbështetjen që duhet të japë ndaj Ballkanit Perëndimor, dhe se Evropa nuk duhet ta harrojë që ky është një rajon evropianësh.
“Është fat për ne që të jemi sot në këtë marrëdhënie të shkëlqyer me Gjermaninë, është vërtet privilegj që ndiejmë mbështetjen reale dhe dëshirën reale të Gjermanisë për ta parë Shqipërinë të progresojë, por edhe rajonin për të çelur një fazë të re bashkëpunimi mes Evropës dhe Ballkanit, një fazë të re bashkëpunimi që në thelb ka vetëdijen e Evropës, por në radhë të parë të Gjermanisë, për të mbështetur një rajon ku pavarësisht ecurisë individuale që bën vendi në procesin e integrimit, Europa nuk duhet ta harrojë që është një rajon evropianësh. Dhe nëse ata jane BE ne jemi E, pra Europë, dhe rruga drejt B-së do të jetë e gjatë, por ndërkohë BE duhet dhe ky është vullneti i lidershipit të Gjermanisë që të mbështes Ballkanin, dhe vendet e rajonit të Ballkanit, që sa më shpejt të bëhen BE dhe të mos ngelen E”, tha më tej Rama.
Pas viteve 90-të, Gjermania ka investuar mbi 1 miliardë euro për të mbështetur Shqipërinë.