Me rastin e Ditës së Paqes, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar se kjo është historia e dhimbshme por krenare e Kosovës, që rilindi 16 vjet më parë me ndihmën e botës së përparuar, që humanizmin e shndërroi në vlerën më të lartë të shoqërisë demokratike, duke parandaluar të keqen dhe duke ndihmuar ndërtimin e një shteti të qytetarëve të barabartë.
Jahjaga në një deklaratë për media ka thënë se në këtë Ditë të Paqes, kur po shërojmë ende plagët e një të kaluare të rëndë, të një historie të dhunshme që kërkon drejtësi dhe në këtë kohë feste, ne rikujtojmë premtimin e dhënë për ta bërë një Kosovë të zhvilluar e demokratike, ku secili do të ndjejë përgjegjësi dhe obligime për ta ndërtuar një të ardhme më ndryshe.
“Sot kur sfidat për vendin tonë janë më të theksuara, qëndrojmë fuqishëm përkrah botës së zhvilluar, si pjesë e pandashme e një lufte për të ruajtur dhe zhvilluar demokracinë dhe të sigurt në synimin për të qenë pjesë e barabartë e Evropës dhe një vend i përparuar për të gjitha gjeneratat e ardhshme” ka përfunduar ajo. / 21MEDIA
