Violina e prezantuar sot në Muzeun Historik Kombëtar i ka takuar Hafize Leskovikut, ndërkaq prezantimin e ka bërë, Artur Zeqiri, i cili tashmë ka trashëguar këtë instrument.
Sot, në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të projektit “Muzeu im”, violinisti Artur Zeqiri ka treguar historinë e objektit më të veçantë për të. Violina 127-vjeçare, e përdorur nga Hafize Leskoviku, i është trashëguar Zeqirit nga të afërmit e tij dhe tashmë ky objekt ka një vlerë të madhe shpirtërore për të. Ky prezantim është bërë në kuadër të projektit të Muzeut Historik Kombëtar “Muzeu im”, ku ftohen të gjithë qytetarët që të prezantojnë gjërat me vlerë që i kanë nëpër shtëpi, dhe të njëjtat pas prezantimit mund ti marrin sërish me vete.
“ Kushdo që dëshiron të bëhet pjesë e këtij aktiviteti atraktiv është i ftuar, bashkë me objektin e tij, çdo të premte, ora 11:00 për ta prezantuar atë”, bëhet e ditur nga ky institucion.
