Komuna e Prishtinës, ka ndaluar lëvizjen me biçikleta nëpër sheshin kryesor në Prishtinë.
Këtë vendim të Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës, e ka arsyetuar i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një statusi në profilin e tij në Facebook.
“Drejtoria e Shërbimeve Publike ka vendosur shenja të komunikacionit për ndalimin e ngasjes së biçikletave në shesh. Kjo për shkak të shpejtësisë së madhe, aksidenteve ku janë goditur fëmijët, dhe ankesave të shumta të qytetarëve”, ka thënë Ahmeti.
“Jemi duke menduar për shiritin e veçantë për biçikleta në shesh por në ndërkohë duhet të veprojmë që mos të ndodhin aksidente”, ka shtuar më tej ai.
