Projektligji për konfliktin e interesit t'i kthehet Qeverisë

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit, ashtu siç është sjellë nga Qeveria e Kosovës në Kuvendin e Kosovës, është vlerësuar se nuk i plotëson standardet evropiane.
Si i tillë, të martën gjatë një debati publik të organizuar nga Komisioni për Legjislacion është propozuar njëzëri që ose t`i kthehet Qeverisë, ose të riformulohet.
Në këtë debat kanë marrë pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë adresuar edhe rekomandimet eventuale, zyrtarë nga Agjencia Kundër Korrupsionit, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian (BE). Mirëpo, ka munguar ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, edhe pse ishte ftuar, gjë që është kritikuar nga të pranishmit, shkruan sot “Koha ditore”.
Vërejtja kryesore, e cila ishte edhe në fokus të debatit kishte të bënte me pozicionin e këshilltarëve politikë karshi konfliktit të interesit.
Kryetarja e Komisionit dhe njëherësh deputete e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky projektligj duhet të tërhiqet. Sipas saj, është e rëndësishme që të fuqizohet pakoja ligjore kundër korrupsionit dhe në këtë drejtim edhe pakoja ligjore kundër konflikt interesit.