Komuna e Deçanit dhe Manastiri i Deçanit që nga viti 2000 kanë vazhduar “betejën” për pronat publike APIKO dhe Iliria. Së fundi, Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës ka marrë vendim që këto prona publike nuk i takojnë Manastirit, raporton KTV.
Vendim i Kolegjit i marrë më 12 qershor 2015 ka nxitur shpresën e autoriteteve të Deçanit se drejtësia do bie në binarët e duhur.
Në Vendimin e Kolegjit të Apelit, të cilin edhe zyrtarisht komuna e ka pranuar të premten, thuhet se Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme nuk është kompetente për t’i shqyrtuar këto çështje, ndaj kërkohet që rasti të kthehet për shqyrtim në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan.
Ky vendim është cilësuar si i drejt nga i pari i kësaj komune, Rasim Selmanaj. Vendimi është mirëpritur edhe nga shoqëria civile e këtij qyteti.
Në Manastirin e Deçanit nuk e kanë thënë asnjë fjalë të vetme lidhur më vendimin e gjykatës.
Sava Janjic ka thënë se nuk është në disponim të flasë për këtë problem.
Ndërkaq, vendimi i Dhomës së Posaçme të 27 dhjetorit 2012 ishte i papranueshëm për qytetarët dhe institucionet e Deçanit.
Madje atë kohë ishin organizuar edhe protesta, duke kërkuar nga Manastiri që të mos pretendojë marrjen e pronave dhe bllokimin e zhvillimit ekonomik të kësaj komune.
