Jo pa qëllim kryeministri shqiptar, Edi Rama heshti tri ditë dhe doli sot më 23 qershor para qytetarëve për të dhënë mesazhin e tij për zgjedhjet vendore 2015. Rama tha se ishte pikërisht data 23 qershor dy vite më parë kur shqiptarët e zgjodhën atë kryeministër të vendit, e sërish sot i besuan së majtës shqiptare qeverisjen e pushtetit vendor.
Ndërsa i cilësoi këto zgjedhje si historike dhe më të mirat e zhvilluara deri më sot në Shqipëri, kryeministri Rama shprehu mirënjohje dhe falënderim të thellë për qytetarët që morën pjesë masivisht në votime dhe i dhanë edhe një herë besimin dhe përgjegjësinë për të qeverisur jo pak por 75 % të njësive vendore, dhe 80 % të popullsisë që kanë votuar për ASHE-në këto zgjedhje.
Ndryshe nga çfarë pretendon opozita Rama, tha se në këto zgjedhje nuk pati blerje vote; as presione; e as detyrim ndaj administratës për të marrë pjesë në mitingje.
Rama tha po ashtu se do të vlerësojë me vullnet të plotë çdo rekomandim që do të vijë nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
