​Rashiq: Serbët e Kosovës humbës nga Marrëveshjet e Brukselit (Video)

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Marrëveshjet e Brukselit nuk kanë sjellë rezultate konkrete, e as jetë më të mirë për serbët. Asociacioni i Komunave Serbe, i dizajnuar, menaxhuar e udhëhequr nga Beogradi e jo nga serbët e Kosovës, nuk do të sjellë përfitime për serbët që jetojnë dhe mendojnë të vazhdojnë edhe më tej jetën e tyre në shtetin e Kosovës.
Kështu tha ish ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe lideri i Partisë Progresiste Serbe Nenad Rashiq.
Rashiq në këtë intervistë deklaroi se në rast se kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi nuk iu pengon thënia “ Kosova dhe Metohia”, që përdoret shpeshherë nga pjesëtarët e Listës Serbe, një gjë e tillë më së paku do të duhej ta pengonte dhe e pengon atë.
Për Rashiqin edhe pse Prishtina zyrtare e edhe Beogradi zyrtar kanë shpallur fitoren pas Marrëveshjeve të fundit në Bruksel, ata që më së shumti humbën nga këto marrëveshje apo që nuk fitojnë fare janë serbet lokal të Kosovës, apo siç i quan Rashiq “serbët autoktonë”.
Mospërfshirja e serbëve lokalë në dizajnimin e formës, në mënyrën se si do të funksionojë dhe strukturohet Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë, shpërfaq ndikimin e paktë që kanë serbët dhe partia e Rashiqit në këtë bashkësi të komunave. Sipas tij është bërë neglizhencë e madhe ndaj serbëve lokalë nga ana e institucioneve të Kosovës, të cilat në vend se të konsultohen me ta, i janë drejtuar Beogradit , gjë e cila më pas bëri faktor edhe Listën Serbe në institucionet e Kosovës.
Integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës shpeshherë është varur nga interesimi që kanë shfaqur institucionet e Kosovës për integrimin e tyre, ndonëse sipas Rashiq edhe serbët e mbajnë një pjesë të fajit për këtë. Sipas tij është absurde të shihet se si tani në vend të atyre që duan të integrohen në jetën politike e sociale në vend, me komunat me shumicë serbe udhëheqin ata që ishin kundër regjistrimit të serbëve si pjesë e popullsisë së Republikës së Kosovës.
E për mospërfilljen e Listës Serbe ndaj institucioneve, simboleve shtetërore dhe shpeshherë referimit të Kosovës si “Kosova dhe Metohia”, Rashiq tha se në rast se kjo nuk i pengon kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij Hashim Thaçi, atëherë atë më së paku e pengon një fjalor i tillë e bashkëkombësve të tij.
Rashiq ka folur edhe për punën e tij si ministër, duke thënë se gjatë dy mandateve të tij ka arritur të bëj ligjin për pensionet, ligjin e punës, atë për skemat sociale, për grevat, organizimin sindikal, e dokumente të tjera që sipas tij kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Kosovës dhe të disa prej kategorive më të ndjeshme të shoqërisë kosovare.
Lidhur me vërejtjet e Auditorit të Përgjithshëm se ish- ministri Rashiq kishte nënshkruar pagesën për një biletë të aeroplanit për dikë që nuk kishte qenë pjesë e stafit të kësaj ministrie, Rashiq thotë se nuk është në dijeni për këtë, dhe se nuk i kujtohet që ka ndodhur një gjë e tillë, ndonëse kishte lexuar në mjetet e informimit për këtë çështje.
Rashiq ka folur edhe për shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, në Forca të Armatosura të Kosovës, për çka tha se ai disa herë ka shprehur qëndrimin e tij për këtë çështje se është i gatshëm të diskutojë. Por se a do të votojë ai në momentin kur pritet ky shndërrim, Rashiq ka thënë se ka ende kohë për një vendim të tillë
Në fund Rashiq ka komentuar edhe marrëveshjen për Policat Kufitare, marrëveshje kjo, e cila sipas tij nuk është prezantuar në formë të duhur dhe korrekte nga ana e Prishtinës zyrtare.
Kjo marrëveshje me gjithë kundërshtimet brenda Kosovës , duke udhëtuar vetëm me targat KS e jo RKS, dhe me ato provuese ndihmon dhe ua lehtëson qarkullimin serbëve dhe shqiptarëve që kanë marrëdhënie tregtare, biznesore, e çfarëdo tjetër në mes vete.