Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Serbia përmes serbëve lokalë i pati organizuar të gjitha zgjedhjet (lokale dhe të përgjithshme) ndonëse nuk kishte të drejtë shkaku se organizimi i zgjedhjeve është çështje krejtësisht e brendshme e shteteve dhe në rastin konkret llogaritej si ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës. Institucionet kosovare, përveç kundërshtimeve verbale asnjëherë nuk ndërmorën ndonjë veprim për t’i penguar ato. Ndërkaq , ndërkombëtarët bashkëpunuan ngushtë me Serbinë dhe kështu u bënë përkrahje e fuqishme e strukturave paralele (kriminale) që zgjedhjet i organizonin të stolisura me ikonografi dhe simbole të Serbisë dhe që në fushata zgjedhore merrnin pjesë politikanët e niveleve më të larta të shtetit serb. Policia e Kosovës dhe Rojat e Urës i siguronin kutitë e votimeve . Madje , shumica e listave të votuesve që pregatiteshin në Serbi ishin të falsifikuara. OSBE e luante rolin kryesor gjatë procesit zgjedhor, që nga fushata deri në ditën e zgjedhjeve. Institucionet kosovare përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve (KQZ) ishin përjashtuar nga i tëri ky proces.
Më datën 13 shtator 2015 u mbajtën zgjedhjes lokale në komunën e Medvegjës ku një numër i konsiderueshëm i votuesve shqiptarë jetojnë në Kosovë por kanë të drejtë vote.
Autoritetet serbe , me qëllim të pengimit të votimit për votuesit shqiptarë nuk lejuan për më shumë se shtatë (7) orë hyrjen e votuesve shqiptarë duke krijuar radhë të gjata.
Votuesit shqiptarë nga Medvegja e kanë nënshtetësinë e Serbisë që u garanton të drejtën e votimit pa u penguar sepse , përveç se është e drejtë kushtetuese, e drejta për të votuar është obligim qytetar dhe e drejtë elementare e njeriut. E drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur është e drejtë e pakontestueshme përveç rasteve të parapara me ligj. Pengimi i qëllimshëm i autoriteteve serbe duke vështirësuar (në disa raste edhe pamundësuar qasjen e lirë në kutitë e votimit) për votuesit shqiptarë nuk zgjoi reagim të ndërkombëtarëve në përgjithësi dhe OSBE-së në veçanti dhe në këtë mënyrë po vërtetohet se për shkak të oportunitetit politik, po dëmtohet procesi i votimit dhe po dizajnohet rezultati i votimit që nënkupton se po përligjet zbatimi i standardeve të dyfishta. KMDLNj kërkon që të respektohet e drejta për të votuar si e drejtë njerëzore dhe kundërshton çdo arbitraritet apo zbatim të standardeve të dyfishta.
