Pas rasteve të raportuara të ushtrimit të dhunës ndaj nxënësve, njëri në ShFMU “Shaban Mazreku” në Sopijë – Suharekë dhe rastin tjetër në shkollën “Mirali Sejdiu” në Gërmovë të Vitisë, ka reaguar ministria e arsimit, duke shtuar se janë të papranueshme dhe që do të angazhohet që të marrë masat ligjore për adresimin e përgjegjësisë për secilin rast të tillë.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka iniciuar menjëherë inspektimin e plotë të dy ngjarjeve dhe sot, Sektori i Inspeksionit të Arsimit në Prizren, ka nxjerrë vendimin për inicimin e procedurave disiplinore ndaj mësimdhënësit H.B në ShFMU “Shaban Mazreku” në Sopijë – Suharekë, për shkak të ushtrimit të dhunës fizike dhe keqtrajtimit tё nxënësit B.R, që paraqet shkelje të rëndë ligjore. Po ashtu, masa disiplinore do të ndërmerren edhe ndaj ish-drejtorit tё shkollës I.S, pёr shkelje tё detyrave tё punës, respektivisht, mosinformim me kohё tё prindit dhe mosparaqitje tё rastit nё DKA – Suharekё, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.
Sipas komunikatës, në ditët në vijim, pas përfundimit të inspektimit të rastit në shkollën “Mirali Sejdiu” në Gërmovë të Vitisë, MAShT do të nxjerrë, po ashtu, vendim në përputhje me shkallën e cenimit të ligjit.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kërkon dhe inkurajon të gjithë drejtorët e shkollave, mësimdhënësit, nxënësit dhe opinionin publik që të bëjnë denoncimin e çdo akti të dhunës në shkollë, që janë të akte të papranueshëme për shkollën dhe dëmtojnë rëndë figurën e mësuesit në Kosovë. / 21MEDIA
