Refuzimi i kushteve të kreditorëve ndërkombëtarë në referendumin e së dielës në Greqi, ka shkaktuar dëshpërim në Bashkimin Evropian, para se gjithash në Gjermani, prej nga arriti porosia se janë vështirë të paramendohen negociata të reja për një program të ri të ndihmave për Greqinë.
Presidenti i Francës, Fransoa Holland, i cili zhvilloi një bisedë telefonike me Kryeministrin e Greqisë, Aleksis Cipras, si dhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, u pajtuan se rezultati i referendumit duhet të pranohet dhe bënë thirrje për zhvillimin e një samiti të jashtëzakonshëm të eurozonës, i cili do të zhvillohet nesër.
Shefi i eurogrupit i ministrave të Financave të Eurozonës, Jeren Dijselblum, tha se refuzimi i grekëve është për keqardhje dhe se ekonomia greke do të përballet me masa të ashpra për ri-këndelljen e ekonomisë.
Presidenti i Parlamentit të Evropës, Martin Shulc, deklaroi se Greqia dhe eurozona tani do të përballën me kohëra dhe sfida të vështira dhe akuzoi qeverinë greke për sjellje të papërgjegjshme.
Në anën tjetër, udhëheqësja e Frontit Kombëtar në Francë, Marine Le Pen, përshëndeti epilogun e referendumit në Greqi, duke theksuar se refuzimi grek duhet të hapi rrugën për një qasje më të shëndoshë./21 Media/
