Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, sot në Vushtrri do të mbajë një tryezë diskutimi me temën “Roli i gruas në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë”.
Në këtë takim, sipas organizatorëve, do të diskutohet rreth sfidave në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, që rezultoi në pjesëmarrjen e një numri të madh të qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja (Siri dhe Irak) duke përfshirë edhe gratë.
Pjesë e takimit do të jetë edhe diskutimi i aktiviteteve dhe ideve të reja të cilat do të ndikonin në parandalimin e përhapjes së rrymave ekstremiste dhe radikale në Kosovë.
Debati është pjesë e projektit “Rrëfimi i dy qyteteve: Radikalizmi dhe Kundërnarrativi në Vushtrri dhe Mitrovicë”. Qëllimi i këtij projekti është rritja e aktivizmit dhe vetëdijesimit qytetar në parandalimin e përhapjes së ekstremizmit, si dhe kontributi në kundërpërgjigjen ndaj përhapjes së propagandës së grupeve ekstremiste në Kosovë.
Në takim, i cili do të mbahet në Sallën e konferencave Brenda Kalasë së Qytetit, nga ora 10:30 deri në 13:30, do të diskutojnë përfaqësuese të shoqërisë civile, aktiviste për të drejtat e njeriut, zyrtare nga institucionet në nivel qendror dhe lokal, perfaqësues të ambasadave në Kosovë, përfaqësues nga zyra e BE-së, Policia e Kosovës, FSK-së, Bashkësia Islame e Kosovës, studentë, si dhe qytetarë nga Vushtrria.
