Shfaqet për herë të parë në dokumentarin e ri të BBC, një intervistë e papublikuar edhe e padëgjuar më parë e Amy Winehouse. “Amy Winehouse: In Her Own Words” tregon disa video të këngëtares, të cilat janë regjistruar para se ajo të ndahej nga jeta në 2011-n.
Në programin 23-minutësh, artistja britanike kishte folur rreth romancës së saj me ish-bashkëshortin Blake Fielder-Civil, për tekstet e saj që kishin lidhje me jetën personale dhe mendimet e saj për të mos qenë një model tek të tjerët.
Amy u martua me të dashurin e saj Blake në maj të vitit 2007, marrëdhënie e cila shumë shpejt doli jashtë kontrollit dhe në gusht të po atij viti, Amy dhe Blake u fotografuan të gjakosur në rrugët e Londrës pas një zënke mes tyre.
Amy u divorcua me Blake në gusht 2009, për të cilin ishte shprehur se e kishte mësuar të konsumonte heroinën. Por Blake ishte një frymëzim i këngëve më të famshme të artistes, në albumin e saj në 2006, “Back To Black”.
Në intervistën e dhënë për programin “BBC Music” në atë kohë, këngëtarja ishte shprehur: “Rashë si e çmendur në dashuri me dikë që nuk më ka sjellë asgjë të mirë në jetë. Kur u ndava me të, nuk kisha asgjë për çfarë të luftoja, nuk punoja, kështu që luaja në piano përreth 4 orë në ditë, dehesha aq shumë sa duhet të më dërgonin në shtëpi me karrocë dore. Kështu “Back To Black” flet për gjendjen e keqe, që unë po kaloja në atë kohë.”
Amy, e cila publikoi tre albume në karrierën e saj të shkurtër, ka dashur që ta distanconte sa më shumë veten e saj si një model që të tjerët duhet të ndiqnin.
Duke thënë se ajo nuk është shembulli që vajzat duhet të ndjekin, ajo shpresonte se fansat duhet të largoheshin nga meloditë e saj dhe se nuk duhet të ndjenin kurrë ato lloj emocionesh për të cilat ajo ka shkruar.
Amy ishte përgatitur për të “vuajtur” për artin e saj. Duke thënë se muzika e shpirtit “ka nevojë për guxim”, ajo zbuloi se në kohën më të vështira do të shkruante për gjithçka, madje edhe për ndjenjat që nuk donte t’i pranonte.
