Rreth 680 milion euro janë borxhet që do të falen me ligjin për faljen e borxheve. Këto të dhëna i ka bërë të ditur zëvendës ministri i financave Agim Krasniqi, gjatë prezantimit të ligjit për faljen e borxheve në komisionin parlamentar për buxhet dhe financa.
Deputetët thanë se nuk është e drejtë qe bizneset e fuqishme që nuk kanë paguar obligimet ndaj ATK-së dhe doganave deri në fund të vitit 2008 të falen. Ata vlerësojnë se me faljen e borxhit të këtyre bizneseve krijon pabarazi tek bizneset.
“Sipas vlerësimeve të institucioneve gjegjëse shumë e borxhit që do të falet vlerësohet të jetë rreth 680 milion euro, prej rreth 148 milion janë borxh nga ATK-së, 6 milion janë borxh ndaj doganave të Kosovës, 57 milion euro borxh tatime në pronë dhe pjesa kryesore ka të bëjë me shumën rreth 465 milion që janë borxhe ndaj ndërmarrjeve publike”, tha Krasniqi.
Po ashtu Krasniqi ka treguar se kush do të mund të përfitoj nga ligji mbi faljen e borxheve.
“Për të përfituar nga falja e borxheve, personat fizik edhe juridik duhet të ndjekin disa procedura …Duhet të kryejnë pagesën e plotë të obligimit për periudhën 1 janar 2009 më 31 dhjetor 2014, atëherë personat e këtillë përveç faljes së tërësisht të borxhit për periudhën deri në dhjetor 2008 do të përfitojnë me faljen e gjobave interes dhe ç’do obligim tjetër që rrjedh nga mos pagesa me kohë e kryerjes së borxhit për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014. Më tutje janë të obliguar të lidhin marrëveshje me institucionet personat fizik dhe juridik marrëveshje me institucione shtetërore ose ndërmarrjet publike për pagesës e borxheve me këste për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014”, tha Krasniqi.
Ndërsa, Naser Osmani, nënkryetar i komisionit për buxhet dhe financa ka kërkuar sqarime dhe ka thënë se 90 për qind nuk janë qytetarët që përfitojnë ku sipas tij janë bizneset që përfitojnë./21Media
