Gazsjellësi i planifikuar për bartjen e gazit rus, Rrjedha Turke, është një nga opsionet për sigurimin e më shumë burimeve për furnizimin e Bashkimit Evropian, por do të jetë e domosdoshme që kontratat dhe projekti në tërësi të jenë në përputhje me rregulloret ekzistuese të Bashkimit Evropian.
Është e domosdoshme që pronësia mbi gazsjellësin të jetë e ndarë nga distribucioni i gazit, ka theksuar Komisioni i Evropës.
Siç theksuan disa burime në Bruksel, Komisioni i Evropës po punon me Rusinë në korniza të realizimit të unionit energjetik të Evropës dhe ky bashkëpunim po zhvillohet duke pasur parasysh ndryshimet, të cilat ndodhën pasi që Moska kumtoi se ka ndalur realizimin e projektit rrjedha Jugore.
Nga zyrtarët e Komisionit të Evropës është kërkuar të vlerësojnë se a paraqet cenim të unitetit të Bashkimit Evropian marrëveshja për pjesëmarrje në ndërtimin e Rrjedhës Turke, e nënshkruar mes Hungarisë dhe Greqisë, së bashku me Serbinë, Maqedoninë dhe Turqinë.
Përgjigjja ishte se Komisioni i Evropës ishte ftuar në takim dhe se ekspertët e tij kanë marrë pjesë aty në cilësinë e vëzhguesve.RTV21