Rruga e Arbrit gati për 3 vjet, Kina e merr me koncesion

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Rruga e Arbrit pritet të përfundojë brenda 3 vitesh, ndërsa ndërtimi i saj i është dhënë me koncesion kompanisë shtetërore kineze “China State Construction Company”. Lajmi u komunikua zyrtarisht sot nga Ministria e Financave dhe ajo e Transporteve gjatë punimeve në komisionet parlamentare.
Irena Beqiraj, zv/ministre e Financave, tha se kjo rrugë do t’i japë një zhvillim ekonomik gjithë zonës së veriut, duke lidhur Tiranën me Dibrën me shkurtimin e destinacioneve, e duke krijuar mundësi punësimi nëpërmjet nxitjes së biznesve të reja.
“Kjo kontratë koncesionare lidhet me një nga kompanitë shtetërore ndërtimore kineze e cila do ta financojë tërësisht 3 vitet e para ndërtimin e rrugës, dhe i vetmi ndikim që do të ketë në buxhet është se qeveria shqiptare pas ndërtimit, pas 3 viteve ndoshta do të vendosë një fond garancie që mendohet nga llogaritjet tona aty te 26 milionë lekë në buxhet, nëse këto nuk mblidhen nga kompania nga përdorimi i rrugës. Është rrugë shumë interesante, sepse fillon me lidhjen e Dajtit deri në Dibër, sepse lidh Tiranën me Dibrën. Mendohet se do të jetë një rrugë e cila do t’i japë zhvillim ekonomik, zonës së veriut të Shqipërisë dhe gjithë Qeveria është shumë entuziaste për fillimin e Rrugës së Arbrit”, tha Beqiraj.
Deputeti socialist i zonës së Dibrës, Ulsi Manja, përkujtoi se ndërtimi i kësaj rruge ka qenë një nga premtimet elektorale të kësaj mazhorance, dhe tha se do t’i shërbejë komunitetit të Dibrës, Matit, Bulqizës.
Sipas Manjas, kompania kineze “China State Construction Company”, që ka marrë përsipër ndërtimin e rrugës, klasifikohet si një ndër 3 kompanitë më të mira në botë në fushën e ndërtimit.
“Ndërtimi i kësaj rruge ka qenë një nga premtimet elektorale të Qeverisë, pra të kësaj mazhorance; ndërtim i një rruge të shumërpitur për një komunitet, siç është komuniteti i Dibrës, i Matit, i Bulqizës, por kjo rrugë nuk do të lidhë vetëm këto 3 zona urbane të qarkut të Dibrës, por do të bëjë të mundur më në fund integrimin e qarkut të Dibrës me Tiranën dhe, pse jo, edhe me Portin e Durrësit. Ajo që do të theksoja në lidhje me rëndësinë e këtij projektligji është fakti se kompania që ofrohet për ndërtimin e kësaj rruge, kompania kineze është një kompani ndërtimi e cila renditet ndër 3 kompanitë më të mëdha në botë dhe e para në sektorin e ndërtimit sipas klasifikimit të bërë nga revista The Economist, në vitin 2012. Edhe pse ky projektligj u fut me procedurë të përshpejtuar, të mos humbim kohë në hyrjen në fuqi të këtij ligji, por hyrja në fuqi e tij të bëhej menjëherë duke marrë mendimin paraprak edhe të Presidentit të Republikës,” tha deputeti i Dibrës Ulsi Manja.