Mamografi Mobil është prishur sërish. Kësaj radhe në Partesh për shkak të rrymës jostabile që ofron KEDS-i në këtë komunë. Kurse për funksionimin e mamografit, tani duhet një stabilizator i rrymës.
Mamografi është blerë nga iniciativa e grupit të grave deputete dhe ka kushtuar 265 mijë euro. Pasi erdhi në Kosovë, ky mamograf një kohë të gjatë nuk ishte në funksion sepse nuk i kishte targat e regjistrimit. Pastaj, ende pa filluar së funksionuari iu kishte vjedhur kablloja që e përçon rrymën nga jashtë brenda mamografit.
Koordinatori nacional i mamografit, Agim Bregaj thotë për KosovaPress, se mamografi deri më tani ka punuar pa asnjë problem dhe se ka bërë një punë mjaft të madhe në të gjitha qendrat e mëdha të Kosovës.
“Për momentin ka qenë në fshatin Ranillukë dhe nga transferimi prej Ranillukut në Partesh, me kyçen në rrym atje është ardhur deri te ndërrimi i tensionit dhe si rezultat i saj ka ardhur deri te dalja jashtë sistemit. Për momentin na duhet një UPS (stabilizator) për funksionimin e tij. Besoj që brena dy dite deri në tri ditë, ajo do të rregullohet dhe nuk do të ketë problem fare. Pa problem do të dalim në terren dhe do të fillojmë punën siç ka qenë deri më tani”, ka thënë ai.
Ai ka mohuar thashethemet se momografi mobil po prishet më qëllim nga personat të cilët duan të përfitojnë materialisht nga prishja e tij. Bregaj thotë se interesimi i grave për ta shfrytëzuar mamografin është shumë i madh dhe se mamografi mobil deri më tani ka bërë diku rreth 40 mijë kilometra nëpër të gjitha regjionet e vendit dhe se numri i grave të ekzaminuara deri tash është afër 2000.
Ndërsa, deputetja Alma Lama tha se personalisht s’ka informacione se si po funksionon dhe a është duke lëvizur nëpër Kosovë.
“Për çfarëdo lloj dështimi i punës së mamografit mobil është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila duhet të përkujdeset që ai të funksionoj misionin për të cilin grupi i grave deputete e ka blerë që është kontrolli dhe skeningu në çdo cep të Kosovës, pa para”, tha Lama. Sipas Lamës, duhet që edhe grupi i grave deputete ta monitorojë punën e mamografit në terren.
Faik Hoti, drejtor i informimit në MSH, përmes emalit ka thënë se vitin e kaluar mamografi mobil i është dorëzuar Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.
“Meqë aparati është në menaxhim të SHSKUK-së, MSH beson që ky shërbim është në gjendje që të mirëmbajë dhe mbikëqyrë këtë aparat dhe nëse duhet në çfarëdo forme që Ministria t’i ndihmojë në këtë aspekt, do ta bëjë këtë. Përndryshe, nëse ka ndonjë problem teknik, duhet hulumtuar shkaqet që çojnë tek ato me qëllim të evitimit të problemeve të çfarëdo natyre, sepse MSh është e bindur se profesionistët që punojnë me të, janë të përkushtuar që aparati t’i shërbejë qëllimit për të cilin është siguruar”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, ky aparat ka kryer ekzaminime të shumta në disa komuna, së pari në Prishtinë, pastaj edhe jashtë saj përfshirë Gjilanin, rajonin e Opojës, Novobërdës dhe komuna të tjera.
