Për herë të parë vizitoi Shqipërinë presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz. Takimin e parë ai e ka pasur sot me kryeparlamentarin e Shqipërisë Ilir Meta, me të cilin ka mbajtur edhe një konferencë për shtyp.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp, duke u fokusuar si fillim tek zhvillimet ndërkombëtare, Meta ka përshëndetur fillimisht marrëveshjen mes Bashkimit Evropian dhe Greqisë, që sipas tij, është e rëndësishme edhe për vendin tonë.
Meta ka falënderuar presidentin Schulz për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit të Shqipërisë dhe mbajtjen gjallë të perspektivës së zgjerimit të BE-së. Njëkohësisht Meta shprehi mirënjohjen edhe për mbështetjen që Parlamenti Evropian vazhdon të japë në rajon, sidomos ndaj normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në të njëjtën linjë mendimi edhe Schul z ka shprehur gjithashtu kënaqësinë e tij për marrëveshjen BE-Greqi. Duke falënderuar qeverinë e Tiranës për ftesën, kreu i PE-së ka vlerësuar punën e Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit në vend dhe rajon. Ai ka shtuar gjithashtu se marrëdhëniet mes PE-së dhe Kuvendit të Shqipërisë janë të mira dhe do të vijnë duke u intensifikuar.
Kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, po zhvillon një vizitë dyditore në Tiranë. Nesër rreth orës 11:00 ai pritet të mbajë një fjalim në Parlamentin Shqiptar.
