Selimi: "Qeveria po bën pazare"

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Deputeti Rexhep Selimi, nga Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje!, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të enjten, e ka shfaqur shqetësimin e tij lidhur me mosthemelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës, duke thënë se Ushtria e Kosovës është nxjerrë në pazar nga Qeveria e Kosovës.
Ai ka thënë se nëpër rrugë procedurale, Qeveri – Parlament, ka kohë që qarkullojnë amendamentet për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
“Qeveria e kaluar dhe kjo e sotmja kanë tentuar që ta fajësojnë opozitën për moskalimin e këtyre amendamenteve kushtetuese në Kuvend. Serbët e kundërshtonin e neve na akuzonin. Serbët e kundërshtojnë edhe neve prapë na akuzojnë për moskalimin apo mosvotimin të këtyre amendamenteve për ushtrinë e Kosovës. Ka ditë që në Kuvend janë proceduar amendamentet për FAK-un, siç dihet Qeveria i ka sjellë në Kuvend këto amendamente për dy qëllime, por asnjëri nuk është që ne të kemi ushtri”, ka theksuar Selimi.
Sipas tij, kjo qeveri e ka futur fatin e ushtrisë së vendit në një lojë të keqe me Listën Srpska.
“Kjo lojë përveç që është e keqe është edhe e rrezikshme edhe për sigurinë e vendit. Përveç që është lojë e keqe është edhe pazar i rëndë për Kosovën. Qeveria e kaluar dhe kjo e sotmja po vazhdojnë të luajnë me diçka që nuk luhet. Edhe në vitin e kaluar i ka sjellë këto amendamente për t’i futur në pazar me vendet e rezervuara të serbëve në Kuvendin e Kosovës. Edhe sivjet i ka sjellë për pazar. Sa e sa herë u matën që këto ndryshime t’i fusin në një pako me gjykatën speciale”, ka theksuar mes tjerash Selimi.
Ai ka akuzuar Qeverinë e Kosovës që e ka sjellë Kuvendin e Kosovës në një situatë që duhet ta pyes Listën Srpska për të pasur ushtri të vetën Kosova.