Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka vizituar sot komunën e Skenderajt, ku u prit nga nënkryetari Fadil Nura.
Ndërmjet ministrit Shala dhe nënkryetarit Nura u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Skenderajt, veçmas në projekte kapitale, siç është Palestra e Sporteve, projekt ky që po realizohet në këtë qytet, sipas standardeve bashkëkohore dhe për të cilin projekt MKRS-ja sivjet ka ndarë 400 mijë euro.
Ministri Shala e vlerësoi bashkëpunimin me komunën, dhe po ashtu u zotua se do të vazhdojë këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen, në fusha me interes të përbashkët, dhe në të mirë të qytetarëve të Komunës së Skenderajt.
Nënkryetari Nura e falënderoi ministrin Shala për mbështetjen e vazhdueshme, sidomos në projektin e Palestrës Sporteve, duke e vlerësuar këtë projekt si tejet të rëndësishëm për Skenderajn.
Pas vizitës në komunë, ministri Shala inspektoi punimet që po bëhen në Palestrën Sportive të këtij qyteti.
