​Shala:Libri forcon komunikimin kulturor ndërshqiptar

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Kujtim Shala, ka përmendur sot nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ndërkulturor mes hapësirave shqiptare.
Shala citohet të ketë thënë kështu gjatë pjesëmarrjes së tij në Panairin e Librit ne Ulqin, ku vuri theksin te nevoja që të forcohet kultura e leximit, dhe në këtë drejtim, sipas tij panairet luajnë një rol të rëndësishëm.
“Ky panair është një takim krijuesish, takim me libra të rinj, libra të traditës e të të gjitha fushave, si dhe promovon rritjen e kulturës së leximit, e cila është domosdoshmëri për një shoqëri modern”,tha Shala.
Po ashtu, ministri Shala sipas komunikatës për media të kësaj ministrie thuhet të ketë theksuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërkulturor mes shqiptarëve, sidomos pjesëmarrjen e botuesve nga të gjitha vendet shqiptare në ngjarje të tilla si kjo “sepse në këtë mënyrë forcohet komunikimi kulturor ndërshqiptar dhe përpjekjet e përbashkëta drejt integrimit”, shtoi Shala.
Në këtë funksion të objektivit, ministri Shala ka bërë të ditur se tashmë Qeveria e Kosovës ka iniciuar arritjen e një Marrëveshje me Malin e Zi, në funksion të shtimit dhe të bashkërendimit të aktiviteteve kulturore ndërmjet dy vendeve, por dhe të formalizimit të raporteve, për t’i bërë ato institucionale, më sistematike dhe më të dobishme.
Duke e vu theksin te nevoja e intensifikimit të komunikimit kulturor ndërshqiptar, ministri Shala ka përmendur veprimet konkrete që ka ndërmarrë MKRS-ja për të afruar mundësi të reja bashkëpunim kulturor ndërshqiptar.
“Ministria e Kulturës së Kosovës po punon që të arrijë një Memorandum bashkëpunimi me Këshillin Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi, me të cilin do të saktësohen aktivitet kulturore, për të cilat institucionet e kulturës së Kosovës do të ndihmojnë sistematikisht dhe sipas një axhende të dakorduar”, citohet të ketë thënë Shala.
Në ceremoninë e hapjes së Panairit të Ulqinit 2015, përveç ministrit Shala morën pjesë kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ministrja e Kulturës së Shqipërisë Mirela Kumbaro, si edhe kryetari i Kuvendit të Kuvendit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, ministri i Kulturës të Malit të Zi, Pavle Goranoviq dhe shkrimtari Fatos Kongoli.