SHBA nuk rrijnë duarkryq

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Pentagoni pritet të vendosë tanke luftarake, makina për luftime këmbësorie dhe armatim tjetër të rëndë për rreth 5 mijë trupa në disa vende Baltike dhe të Evropës Lindore, për të frenuar ndonjë agresion tjetër të Rusisë në Evropë, ka raportuar “New York Times” të shtunën.
Duke u thirrur në burime brenda SHBA-së dhe zyrtarëve aleatë, gazeta thotë se nëse ky propozim aprovohet, do të shënonte herën e parë që nga Lufta e Ftohtë që Uashingtoni stacionon pajisje kaq të rënda ushtarake në shtetet e reja të NATO-s në Evropën Lindore që dikur ishin pjesë të sferës së ndikimit sovjetik.
Propozimi, i cili kërkon t’i sigurojë aleatët evropianë pas aneksimit rus të Krimesë së Ukrainës marsin e vitit 2014, pritet të aprovohet nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter dhe Shtëpia e Bardhë, para takimit të ministrave të mbrojtjes së shteteve të NATO-s në takimin e këtij muaji në Bruksel, ka shkruar gazeta, duke cituar zyrtarë të lartë shtetërorë, transmeton Koha.net.
“New York Times” thotë se propozimi, siç është i hartuar tani, parasheh që “pajisje të bollshme për një kompani – mjaftueshëm për rreth 150 ushtarë – do të vendoseshin në secilin prej tri shteteve baltike: Lituani, Letoni dhe Estoni. Mjaftueshëm për një kompani apo edhe për një batalion – rreth 750 ushtarë – do të pozicionoheshin në Poloni, Rumani, Bullgari e ndoshta edhe në Hungari”.