Faqja në internet, Uikiliks, ka publikuar dokumente të reja, sipas të cilave qeveritë gjermane për dekada me radhë janë përgjuar nga Agjencia amerikane për siguri kombëtare, NSA.
Agjencia amerikane për siguri kombëtare, NSA, sipas informatave të faqes Uikiliks, të cilat janë publikuar nga mediet gjermane, ka përgjuar me dekada të tëra qeveritë e Gjermanisë, duke filluar nga ish-kancelaret, Helmut Kol dhe Gerhard Shrëder, e deri te qeveria aktuale e kancelares Angela Merkel.
Në dokumentet e sapo-zbuluara gjendet lista me 56 numra të telefonit të zyrtarëve gjermanë, të cilët janë përgjuar, e në mesin e tyre edhe numri të cilin Merkel e ka shfrytëzuar deri në vitin 2013.
Nuk dihet se kur saktësisht ka filluar përgjimi i telefonave në listë, por të dhënat e para kanë të bëjnë me Johanes Ludvigun, bashkëpunëtorin e ngushtë të ish-kancelarit Helmut Kol, i cili dikur ka kryesuar shërbimin për bujqësi në shërbimin e Kancelarit dhe i cili nga puna u largua në vitin 1994.
Në listë gjendet edhe ish-bashkëpunëtori i kancelarit Gerhard Shrëdër, Mihael Shtajner, i cili ka qenë shef i misionit të UNMIK-ut në Kosovë nga viti 2001 deri në vitin 2003.
Për të është thënë se është ekspert për Ballkan, se amerikanët në Kosovë e kanë quajtur Majkëll, si një njeri që merr vendime me shpejtësi dhe se është martuar me një shqiptare.
Politikanët gjermanë kanë kërkuar sqarimin e shpejtë të aferës së përgjimeve dhe disa prej tyre kanë kërkuar edhe përfshirjen e prokurorisë shtetërore të Gjermanisë./21 Media
