SHBA që nga viti 2006 ka spiunuar edhe Japoninë

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë spiunuar politikanët, funksionarët dhe kompanitë japoneze, përfshirë këtu edhe gjigantin Mitcubishi, thuhet në dokumentet që u publikuan sot nga Uikiliks.
Lista prej së paku 35 shënjestrave, e publikuar në faqen në internet të Uikiliks, dëshmon se Agjencia Amerikane për Siguri Kombëtare ka spiunuar kompanitë, funksionarët qeveritarë dhe këshilltarët më së paku që nga koha e administratës së parë të Kryeministrit aktual, Shinzo Abe, e cila ka qenë në pushtet nga viti 2006 deri në vitin 2007.
Në faqe u publikuan katër raporte të agjencisë, të vlerësuara si tejet të besueshme, të cilat zbulojnë bisedat e brendshme në Japoni për tregtinë ndërkombëtare dhe ndryshimet klimatike.
Në një nga raportet gjenden edhe shënimet, të cilat sugjerojnë se raporti i është dorëzuar edhe Australisë, Britanisë së Madhe dhe Zelandës së Re.
Qeveria e Japonisë ende nuk ka reaguar në lidhje me këto dokumente. Uikiliks më herët ka publikuar raporte të ngjashme për spiunimin e Gjermanisë, Francës dhe Brazilit nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës./21Media