Shembulli i Gjilanit: Stop zhurmës së kafiterive!

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtori i Shërbimeve Publike dhe Komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, kanë takuar sot përfaqësuesit e kafiterive në Gjilan për t’i njoftuar lidhur me ankesat e shumta nga qytetarët që janë adresuar drejt Komunës së Gjilanit, si dhe për veprimet që do të ndërmerren në zbatim të ligjit.
Me këtë rast Haziri, ka thënë se toleranca për zhurmën në qytet që shkaktohet nga muzika e kafiterive apo e ahengjeve familjare me ton shumë të lartë do të jetë zero.
“Zero tolerancë ndaj zhurmës në qytet. Mjetet ndëshkuese për të gjithë ata që nuk e respektojnë ligjin për zhurmat do të jenë të njëjta. Nga sot e tutje jeni të njoftuar të gjithë, që për këtë qëllim nuk diskutohet më fare, por vetëm do të veprohet konform ligjit përmes inspektorëve të Komunës, të mbështetur edhe nga Policia e Kosovës. Nuk do të ketë dallime për biznese, qytetarë, ahengje familjare apo organizime tjera, ligji është i njëjtë për të gjithë, atëherë ta zbatojmë atë. Në të njëjtën kohë ju bëj me dije se mjetet e muzikës, (radio, zmadhues të zërit, DJ etj), të cilët nuk i zbatojnë kriteret dhe limitet e fuqisë së zërit do të konfiskohen”, ka thënë kryetari Haziri, duke njof tuar se kjo vlen po ashtu me zero tolerancë edhe ndaj përdorimit të duhanit në hapësirat e ndaluara.
Haziri ka bërë të ditur se Komuna e Gjilanit do të ofrojë hapësirat publike për parkingun e veturave falas, vetëm për të krijuar mundësi dhe kushte komode për qytetarë dhe mundësi më të mëdha për bizneset, gjithashtu do të bëhet edhe ulja e normës së taksave për hapësirat publike të cilat janë dhënë në shfrytëzim për kafiteritë si biznese.
Komandanti i Policisë së Kosovës në Gjilan, Remzi Azemi, ka thënë se policia do të jetë me patrullime të rregullta dhe të shtuara nëpër qytet, në mënyrë që të ofrojë siguri më të madhe për qytetarët e Gjilanit, por zyrtarët policor do të asistojnë edhe sa i përket iniciativave në zbatim të ligjit, nga ana e Komunës së Gjilanit, respektivisht inspeksionit, njoftoi shërbimi komunal për informim.