Shfaqja e Teatrit të Kosovës mbyll sezonin artistik në Shqipëri

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, Teatri Kombëtar i Shqipërisë e mbyll këtë sezon artistik me një shfaqje të trupës teatrale nga Kosova me titull: ‘Shopping and Fucking’, që ka në themel të saj dhuna seksuale. “Shopping dhe Fucking”e shkruar nga Mark Ravenhill trajton shoqërinë ku konsumizmi zëvendëson të gjitha kodet e tjera morale.
Për këtë qëllim çdo gjë, duke përfshirë edhe seksin, dhunën dhe drogën, janë reduktuar në një transaksion të thjeshtë, në një kohë ku qendrat tregtare janë kthyer në katedralet e reja të konsumerizmit perëndimor.
Shfaqja ‘Shopping and fucking’ e Teatrit Urban dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës vihet në skenë për herë të parë në gjuhën shqipe.
Hervin Çuli drejtor i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë tha se kjo shfaqje mbyll sezoni artistik për këtë vit dhe se bashkëpunime të tjera teatrale do të ketë mes Shqipërisë dhe Kosovës në të ardhmen.
Ndërsa, regjisori nga Kosova Fatos Berisha tha gjatë konferencës për shtyp se kjo shfaqje është një kritikë e rëndë për civilizimin modern, për kapitalizmin liberal, pre e së cilës kanë rënë edhe shoqëritë tona në Kosovë dhe në Shqipëri. Berisha është i mendimit se Teatri ende ka potencialin e hapjes së debatit dhe temave tabu, dhe se në kohët ku ne po jetojmë nuk është koha për tregime të buta dhe romantike, por është koha për shfaqje brutale, provokative dhe pse jo me humor të zi; për histori bashkëkohore, të vërteta, për njerëz të vërtetë; tregime për moralin në kohët amorale.
Shfaqja “Shopping and Fucking” është njëbashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Urban Prishtinë. Nesër (e premte 26 qershor) ajo interpretohet në orën 20:00 në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë. Bileta kushton 300 lekë (2 euro). Regjia është nga Fatos Berisha; skenografia dhe dritat: Nico de Rooij; Kostumet: Erza Xhema; Muzika: DJ AlexUnder; Përkthimi: Leke Berisha; Asistent regjie: Besfort Daka; Asistant Skenografi dhe dritat: Tim Vermeulen. Ndërkohë në role janë aktorët: Luan Jaha; Arta Selimi; A rmend Ismajli; Tristan Halilaj; Florist Bajgora.