Kryetarja e Gruas Demokratike të PDK-së, Justina Shiroka-Pula me bashkëpunëtore ka vizituar komunën e Prizrenit.
Ajo gjatë ditës së sotme takoi gra të cilat ushtrojnë biznesin e tyre në kultivim të artizanateve dhe zejeve tjera. Kryetarja Pula përgëzoi gratë për sukseset e tyre të arritura duke u dhënë premtimin që GD me tërë strukturën e saj do t’i mbështesë në rritjen e bizneseve të tyre.
“Do të jemi urë lidhëse e zhvillimit më të madh të biznesit tuaj dhe donatorëve vendor dhe ndërkombëtar. Nëpërmjet mekanizmave që kemi do t’ju ndihmojmë që të kemi projekte të përbashkëta të detajuara, për forcimin e këtij sektori”, tha kryetarja Pula.
Ajo në qytetin e lashtë të Prizrenit ka vizituar edhe OJQ-në “Dora Dorës”. Edhe në këtë takim ka vlerësuar lartë qëllimin human të kësaj OJQ-je dhe shprehu gatishmërinë për ndihmën që mund tua ofrojë për të zgjeruar aktivitetet në përkrahje të gruas.
“Tash e tutje do ta keni edhe një dorë të zgjatur në realizimin e misionit tuaj fisnik”, ka thënë Shiroka-Pula, raporton Indeksonline.
Në takimin vijues me strukturën e Gruas së PDK-së, në Prizren, kryetarja e GD-së kërkoi nga aktivistet partiake angazhim më të madh për të rritur dhe funksionalizuar komunikimin intern dhe motivim më të madh për fuqizimin e grave që synojnë ndërtim të karrierës politike, pasi që sipas saj është koha që gruaja ta pushtoj hapësirën politike përmes vlerës e potencialit krijues që ka.
Në të gjitha këto takime, zonja Pula dha edhe një mesazh për kultivim të mëtejmë të tolerancës fetare si vlerë të çmuar dhe identifikuese me jetën në qytetin e Prizrenit, duke porositur gratë që të vazhdojnë të edukojnë brezat e rinj në frymën e tolerancës e humanizimit.
“Kosova ka traditën e kultivimit të tolerancës fetare dhe në këtë mes të radikalizmit fetar nuk duhet lejuar të prekin në këtë vlerë që bota e çmon. Jemi popull i vogël me rini të shëndosh dhe fisnike, por nuk kemi djema e vajza për të dhënë në luftëra jashtë vendit”, porositi gratë e Prizrenit kryetarja e Gruas Demokratike të PDK-së, Justina Shiroka –Pula.
