Eurokomisioneri për negociata e zgjerimit dhe politikës fqinjësore evropiane, Johannes Hahn, sot ndodhet në Shkup për të realizuar takime me katër liderët e partive më të mëdha politike në vend, me qëllim për të arritur marrëveshjen përfundimtare për krizën politike në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).
Johannes Hahn në Qendrën e Informacionit të Bashkimit Europian realizoi takime të ndara me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi dhe me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti. Siç është paralajmëruar, pasdite Hahn do të realizojë takime të ndarë edhe me liderin e Lidhjes Social Demokratike (LSDM), Zoran Zaev, si dhe me liderin e VMRO-DPMNE-së dhe kryeministrin e vendit, Nikolla Gruevski.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit me eurokomisionerin Hahn, tha se sot është një ditë e rëndësishme për Republikën e Maqedonisë, ndërsa më tej theksoi se BDI ka ofruar opsionet e veta për zgjidhjen e krizës, por sipas tij, shpalosja e këtyre opsioneve nuk do të i shërbente zgjidhjes së krizës.
“Takimet vazhdojnë edhe me partitë tjera brenda ditës. Mendoj që momenti më i rëndësishëm për të gjitha partitë politike është që të tejkalojnë veten, të vendosim interesat shtetërore mbi ato partiake. Për mendim timin, deri më tani me sa unë kam patur takime me të gjithë përfaqësuesit politik, ka tek të gjithë gatishmëri për të dalë nga kjo situatë dhe ta fusim gjendjen në binarë për zgjidhje përfundimtare”, deklaroi Ahmeti.
Ahmeti në vijim shtoi se interesi nga pjesëtarët ndërkombëtarë është mirë për Republikën e Maqedonisë, siç tha ai, kjo do të thotë se vendi është në krye të axhendës ndërkombëtare, jo vetëm për situatën dhe vështirësitë që janë aktualisht, por edhe për çështjet tjera që presin zgjidhje. “Sot tërë ditën do të jemi bashkë dhe do të informohemi bashkërisht. Është me rëndësi që edhe opinioni të ketë informacione”, u shpreh ai.
Pasdite është paralajmëruar edhe takim i përbashkët mes eurokomisionerit Hahn dhe katër liderëve të partive politike më të mëdha në Maqedoni, ku do të marrin pjesë edhe tre eurodeputetët, Eduard Kukan, Ivo Vajgl dhe Richard Howitt.
