Arritja e marrëveshjes për dalje nga kriza politike në takimin e liderëve më 29 qershor do të jetë shumë e vështirë. Edhe përkundër ndërmjetësimeve të diplomatëve ditëve të fundit për të përafruar qëndrimet, nuk është arritur thuajse asnjë progres për çështjet kyçe.
VMRO DPMNE-ja ngelet në qëndrimin që qeveria që do të organizonte zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk duhet të ketë mandat më të gjatë se 3 muaj. Ata janë të gatshëm që të pranojnë mbikëqyrës me të drejtë veto-je nga radhët e LSDM-së në 4 ministri kyçe; punë të brendshme, financa, punë dhe politikë sociale si dhe transport dhe lidhje. Këtë e konfirmoi për herë të parë edhe vetë kryeministri Nikolla Gruevski në një intervistë të botuar dje në britaniken “Financial Times”. Gruevski thekson gjithashtu se është i gatshëm të pranojë forcimin e rolit dhe kompetencave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor me qëllim organizimin e zgjedhjeve sa më korrekte, ndërsa ftoi mbikëqyrës të OSBE-së dhe institucioneve të tjera që t’i monitorojnë këto zgjedhje. Megjithatë ai refuzon të bisedojë për dorëheqjen e tij, pasi siç thotë ai, është populli ai që përcakton mandatarin për formimin e Qeverisë.
LSDM-ja nga ana tjetër kërkon drejtimin e disa nga ministrive kyçe ku në mënyrë analoge VMRO DPMNE-ja do të kishte të drejtë mbikëqyrjeje. Ata kërkojnë edhe dorëheqjen e Prokurorit publik dhe krerëve të RTVM-së. Megjithatë kërkesa kryesore e opozitës mbetet pushimi i mandatit të Gruevskit të paktën 6 muaj përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. LSDM-ja nuk e konteston faktin se edhe mandatari i ardhshëm i kësaj qeverie të përkohshme duhet të jetë nga radhët e VMRO DPMNE-së, por nuk do të pranojnë emër që është komprometuar tashmë nga bisedat e përgjuara.
Edhe partia shqiptare në pushtet BDI, përmes nënkryetares së saj Teuta Arifi ditë më parë e bëri të qartë qëndrimin e vet, se qeverisë së përkohshme i mjafton mandat 3 mujor, ndërsa reformat e kërkuara nga Këshilli i BE-së dhe Raporti i Pribe-s të fillojnë të adresohen nga qeveria aktuale, raporton Alsat M.
Duket se edhe komisioneri evropian për zgjerim Johanes Han nuk është i bindur në suksesin e bisedimeve të 29 qershorit dhe nuk e ka pranuar ftesën për ndërmjetësim në një tjetër raund bisedimesh që mund të rezultojë i dështuar. Megjithatë burime diplomatike për televizionin Alsat M shpjegojnë se nëse arrihet përparim dhe përafrim të qëndrimeve në takimin e së hënës, komisari Han do t’i ftojë liderët në takime intensive në Bruksel gjatë javës së ardhshme, për të arritur zgjidhjen përfundimtare për dalje nga kriza.
