Malësia e Madhe ka bllokuar procesin e numërimit të votave të zgjedhjeve të 21 qershorit. Është e vetmja Bashki që ende nuk e ka mbyllur numërimin për shkak të disa konflikteve të ashpra mes militantëve dhe përfaqësuesve të dy forcave politike.
Rezultati mes dy kandidatëve është i ngushtë, dhe kjo ka bërë që edhe procesi të komplikohet. Numërimi i votave është ndërprerë nga ana e grupeve të numërimit, dhe është kërkuar që pjesa e mbetur e kutive të numërohet në Tiranë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por ky i fundit (KQZ) në një mbledhje të bërë sot, vendosi që të dërgojë 2 inspektorë nga Tirana për në Malësinë e Madhe, të cilët do të asistojnë në pjesën e mbetur të procesit.
Për problemet në Malësinë e Madhe ka reaguar edhe Partia Demokratike sot ku deputeti Edi Paloka ka thënë se përfaqësues të PS-së dhe deputetë të saj kanë ushtruar dhunë ndaj komisionerëve të djathtë. Madje konflikti ka arritur deri aty sa janë nxjerrë edhe armët.
