Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF-ja) ka nisur një fushatë sensibilizimi për tifozët të cilët do të jenë të pranishëm në ndeshjen Shqipëri- Serbi. Përballja ndërmjet këtyre dy skuadrave ka zgjuar një interesim të madh të tifozëve shqiptarë të cilët dëshirojnë ta përkrahin skuadrën e tyre të zemrës në ballafaqim me Kombëtaren e Serbisë.
Në brendësi të biletave të cilat do të blihen nga tifozët gjendet një mesazh i gjatë në të cilin, përveç përkrahjes së Kombëtares, kërkohet qytetari dhe sjellje model gjatë ndeshjes e cila konsiderohet shumë delikate nga ana e FSHF-së.
Këto bileta do të shërbejnë për të rritur vetëdijesim e tifozëve të cilët do të jenë të pranishëm në stadiumin ‘Elbasan Arena’ me 8 tetor.

