Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në Prishtinë kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, njofton Kryeministria.
Gjatë takimit, në të cilin ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, koordinimin e projekteve dhe bashkëpunimit të dy shteteve në prag të Samitit të Vjenës si dhe zhvillimet në rajon.
Kryeministri Isa Mustafa e informoi kryeministrin Edi Rama për progresin që po arrihet në Kosovë në të gjitha fushat, me theks të veçantë për reformat dhe prioritetet e Qeverisë.
Njoftimi po ashtu thotë se kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik me Shqipërinë.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë.
Ai po ashtu shprehu përkrahjen e Republikës së Shqipërisë për proceset në Kosovë, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Shqipërisë për zgjerimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit me Kosovën, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Shqipërisë Edi Rama, bisedën e kanë zhvilluar në një drekë pune.
Përkundër insistimit të mediavem pas takimit, dy kryeministrat nuk kanë dashur të flasin.
