Është shtyer sot në Gjykatën e Apelit séanca gjyqësore për rastin “Monstra”, që ka të bëjë me vrasjen e pesë maqedonasve në prill të 2012 në liqenin e Smilkovict dhe për të cilën vepër u dënuan shtatë shqiptarë nga Shkupi.
Gjykatësja Liljana Shopova deklaroi se vendimi për shtyerjen e seancës u bë për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore, pasi që sipas saj, në sallën e gjykatës nuk ishin dy të akuzuarit Agim Ismailoviq dhe Haki Aziri.
Më 11 shtator do të lexohet aktgjykimi i shkallës së parë i të dënuarve për rastin “Monstra” dhe më pas do të elaborohen ankesat që janë shtruar me shkrim dhe gjykata do të vendos çfarë aktvendimi do të sjellë më tutje.
Këshilli i gjyqtarëve nuk është informuar se për cilët arsye të akuzuarit Agim Ismailoviq dhe Haki Aziri nuk u sollën në gjyq.
Seanca e sotme e cila ka zgjatur gjysmë ore është ndjekur nga shumë familjarë dhe miq të të dënuarve dhe nën sigurinë e madhe të forcave policore.
