Siriza kishte planifikuar “puç” për kthimin e drahmit?

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Disa anëtarë të qeverisë së majtë në Greqi pretendohet se janë duke përgatitur skenarin për kthimin e valutës së vjetër, drahmit, gjë që po thellon edhe më tepër përçarjet në radhët e partisë në pushtet, Siriza, pikërisht në momentin kur kanë filluar negociatat për pakon e re të ndihmave financiare për Athinën.
Hyrja në trezorin e Bankës Qendrore dhe sulmi kibernetik kundër administratës tatimore ishte plani i disa pjesëtarëve të Sirizas, me qëllim të nxjerrjes së Greqisë nga euro dhe kthimit të drahmit.
Ish-ministri i Financave, Janis Varufakis, qysh më herët ka pranuar se ky plan i ishte dorëzuar Qeverisë për vlerësim, por ai u refuzuan nga Kryeministri Aleksis Cipras, pasi që u vlerësua si tejet i rrezikshëm.
Dallimet në lidhje me planin kanë thelluar edhe më tepër përçarjet në radhët e Sirizas, pasi që pranimi i Ciprasit për të negociuar për masat e reja të kursimit nxiti një kryengritje të vërtetë në radhët e partisë së tij.
Bankat Shtetërore mbesin brenga më e madhe në Greqi. Pritet se kontrolli i kapitalit do të vazhdojë me muaj, përderisa mos të arrijnë para të reja nga pakoja e re e ndihmave ndërkombëtare.
Sa më gjatë që të vazhdojë kjo situatë, aq më kritike do të bëhet gjendja e sistemit bankar.
Negociatat për pakon e ndihmave filluan të martën, ndërsa reforma e tregut të punës dhe sistemit pensional do të jenë në qendër të vëmendjes./21Media