Një sulmues është përplasur me automjetin e tij në një fabrikë të gazit në lindje të Francës, me ç’rast ka shkaktuar një shpërthim. Kufoma e një personi me kokë të prerë është gjetur në vendin e ngjarjes, ndërsa dhjetëra punëtorë të fabrikës janë lënduar. I dyshuari është arrestuar nga policia.
Dhjetëra punëtorë janë lënduar pas sulmit në një fabrikë të gazit në Sen Falavi, në afërsi të qytetit të Grenobles, në lindje të Francës, ndërsa në vendin e ngjarjes është gjetur edhe trupi i një personi me kokë të prerë.
Sulmuesi me automjetin e tij ka hyrë në fabrikë dhe është përplasur me një bombolë të gazit, me qëllim që të shkaktojë një shpërthim dhe ai ja arriti qëllimit. Dëshmitarët theksuan se sulmuesi kishte valëvitur flamurin e Shtetit Islamik, i cili më vonë u gjet në vendin e ngjarjes, afër trupit me kokë të prerë.
Presidenti i Francës, Fransoa Holland, deklaroi se autori i sulmit të sotëm terrorist ndoshta është ndihmuar nga një person i dytë. Ai më tutje shtoi se autori i sulmit në fabrikë është arrestuar dhe është identifikuar.
Holland tha se bëhet fjalë për një sulm terrorist. Presidenti francez menjëherë pas lajmit për sulmin u largua nga samiti i Bashkimit Evropian në Bruksel dhe u kthye në Francë, ku thirri një takim urgjent të Këshillit për Siguri kombëtare.
Sulmi i sotëm ndodhi gati gjashtë muaj pasi që ekstremistët islamistë në Paris hynë në redaksinë e revistës satirike, Sharli Ebdo, duke vrarë 17 persona./21 Media
