Të mëdhenj janë ata që falin

НАЈНОВИ ВЕСТИ

“Të qoftë falë gjaku”, ishte fjalia e cila sot na ktheu 25 vite pas, në kohën kur u themelua Lëvizja gjithëpopullore për pajtimin e gjaqeve. Lëvizje kjo e cila mundësoi që mes shumë familjeve shqiptare të fillojë përsëri shoqëria dhe familjarizimi.
Për të shënuar këtë ditë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga organizoi akademi, ku u tha kjo ka qenë ngjarje me rëndësi për gjithë kombin shqiptar dhe kjo lëvizje ka qenë pararojë e ndërgjegjes kombëtare për liri. Ndërsa, Anton Qeta dhe Nurije Zeka u nderuan nga të pranishmit për punën dhe kontributin që dhanë për pajtimin e gjaqeve.
Presidentja Jahjaga tha se falja e gjaqeve ka qenë ngjarje madhore për kombin shqiptar, ndërsa Nurije Zeka dhe Anton Qeta kanë qenë simbolet e kësaj lëvizje.
“Këtë vit ne po e shënojmë 25 vjetorin e lëvizjes gjithë popullore për faljen e gjaqeve në Kosovë, duke kujtuar si një ngjarje madhore nga historia e kombit tonë…e nisur që në grevën e minatorëve të Trepçës …kjo lëvizje ishte si një pararojë e ndërgjegjes komb ëtare për liri, pavarësi dhe demokraci…të kujtojmë që në fillim Nurije Zekën dhe Anton Qetën, dy simbolet e kësaj lëvizje …gjakmarrja mbetet një e kaluar e hidhur që njëherë e përgjithmonë është lënë prapa në histori, duke i hapur rrugën vlerave të civilizimit”, tha Presidentja Jahjaga.
Kurse, njëri nga veprimtarët e asaj kohe në faljen e gjaqeve, i cili ishte i pranishëm edhe sot, Marjan Dema, tha se edhe sot është shumë e vështirë të falet gjaku i familjarëve, por mblodhën forcat dhe arritën qëllimin që konsiderohej i pamundur.
Ndërsa Don Lush Gjergji për të pranishmit tha se krushqit e pajtimit në vitin 1990 shtegtuan Kosovën si asnjëherë më parë në mënyrë që të dëshmohej fuqia e vëllazërisë gjithë shqiptare.
Ndërsa, Mulla Xhevat Kryeziu kujtoi ditën e pashkëve dhe të bajramit në vitin 1990 kur mysliman e të krishterë u mblodhën bashkë për të falur rreth 30 gjaqe e ngatërresa.
Nga të pranishmit në këtë akademi u tha se populli shqiptar shquhet për mikpritje, tolerancë, besë e trimëri por plaga e vjetër e shqiptarëve vazhdon të mbetet hakmarrja. Megjithëse jo në numër aq të madh si më parë, por ende prezente në mesin e shqiptarëve.