Lagja mbi Teqenë “Arabati Baba” në Tetovë është më e diskriminuara për ujë, në këto ditë të nxehta. Banorët presin 22 orë pa ujë, për të mbushur çdo shishe e bidon, por fatkeqësisht, edhe në ato 2 orë që vjen uji, ai është i turbull, me papastërtia. Uji vjen në mesnatë, nga ora 2 deri në orën 4 të mëngjesit, duke u shndërruar kështu në makthin më të madh të banorëve. Përveç orës së papërshtatshme, ka banorë që duhet të përshkojnë edhe 2 km në qytet, për të mbushur ujë, raporton Alsat.
“Ujë nuk kemi linjë nuk kemi dhe neve na kanë lënë pas dore krejt. Veç për vota vijnë për asgjë tjetër partitë shqiptare. Partitë vijnë veç atë ditë që iu duhen vota, le të mos vijnë edhe atë dit le të shkojnë ku të duan. A nuk iu vjen turp të vijnë këtu, 700 shtëpi ka fëmijët na helmohen me ujin çdo dit. Le të shkojnë në Shkup atje ku kanë bë përmendore”.
“Vjen në mbrëmje atëherë ka dy apo tre e natës, deri në pesë në mëngjes, dhe gjithë dit pa ujë. Nuk punojnë as banjat as lavatriçet asgjë. E harxhojnë ata që janë poshtë, nuk hip tek ne asgjë”.
“Ujë nuk ka kjo lagje aspak, ne kemi bë disa kërkesa unë jam nënkryetar i BL këtu kemi bë kërkesa për ujin dhe rrugën e UÇK-së lartë , po problem tejet i madh është se atje nuk kanë ujë aspak, nuk flitet për një apo dy shtëpi por për komplet lagjen. Ka dhjet vite që e kërkoj ujin, kanalizimin e kemi bë privat ne vet”.
“Aspak nuk ndihmon komuna as për ujin as për ndriçimin e as për rregullimin e rrugëve. Shkojmë ujin për pije e mbushim në qytet”.
Nga ana tjetër, nga Ndërmarrja publike komunale “Tetova”, shprehen se janë duke bërë të pamundurën përmes inspektorëve në terren që ta reduktojnë sa më tepër rastet e shpërdorimit të ujit. Qytetarë të pandërgjegjshëm lajnë trotuaret, vaditin oborret dhe lajnë makinat, ndërsa rajonet më të larta nuk mund të furnizohen me ujë. Nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” kërkojnë nga banorët që t’i paraqesin menjëherë rastet e shpërdorimit të ujit, për t’i ndëshkuar ata.
