Thaçi: Kosova do ta themelojë Gjykatën Speciale

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherit ministër i Jashtëm i Kosovës, ka thënë për gazetën austriake Der Standard se institucionet e Kosovës edhe pas vendimit janë të përkushtuara që të themelojnë Gjykatën Speciale.
“Ka pasur shumë akuza për situata të paqena dhe shpifje kundër luftës së drejtë të popullit të Kosovës për pavarësi. Ne jemi të vendosur për të pastruar emrin dhe trashëgiminë tonë. Gjykata Speciale është instrumenti ynë për t’i mbyllur një herë e përgjithmonë të gjitha spekulimet dhe akuzat që janë drejtuar ndaj shtetit të Kosovës dhe ndaj atyre që na mbështeten”, ka thënë Thaçi për Der Standard, duke shprehur bindjen se Gjykata Speciale do të themelohet nga institucionet e Kosovës. Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, sipas Thaçit, tash janë duke punuar për të tejkaluar këto detaje dhe për të miratuar draft-ligjin e prezantuar, i cili do t’i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
“Ne do të sigurohemi që sa më shpejt projektligji të miratohet në Kuvend. Po ashtu do të evitojmë dhe parandalojmë çdo ndikim nga politika ditore”, ka shtuar Thaçi.
Ndërkaq, i pyetur për rolin e Austrisë në fushën e telekomunikacionit gjatë bisedimeve me palën serbe, zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se pret që të finalizohet tash kjo marrëveshje dhe më në fund Kosova të marr kodin e vet telefonik. “Austria ka luajtur një rol të rëndësishëm këtu, duke aplikuar në ITU për kod shtetëror, i cili do të përdoret nga Kosova.
Këto marrëveshje, sipas zëvendëskryeministrit Thaçi, janë duke ndihmuar për të ndërtuar besimin dhe për të nxitur pajtimin mes dy shteteve dhe popujve, të Kosovës dhe Serbisë.