Thaçi, Luftërat kanë përfunduar, tani të gjithë shikojmë ka e ardhmja

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Gazeta gjermane Frankfurter Rundschau, sot ka botuar një intervistë me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Hashim Thaçin, njëherësh edhe ministër i Jashtëm, ku është folur për krizën në Evropë, integrimin në BE, dialogun me Serbinë, ekstremizmin fetar, etj.
Për gazetën gjermane, Thaçi ka thënë se BE mbetet projekti ma i suksesshëm i të gjitha kohërave, sa i takon sigurimit të paqes. “Luftërat kanë përfunduar, tani të gjithë shikojmë kah e ardhmja. Për ne Evropa nuk është vetëm një treg i përbashkët, por është një sistem i vlerave, principeve, e përbërë pikërisht nga ato që ne i aspirojmë: Bashkëpunimi, solidariteti, toleranca, pluralizmi, Liria dhe të Drejtat e Njeriut”, ka thënë Thaçi, transmeton KosovaPress.
I pyetur nga FR, nëse e ndjen Kosova që Evropa ka një lodhje nga zgjerimi, zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se partnerët e kanë siguruar se për shtetet e Ballkanit Perëndimor ka një perspektivë të qartë dhe ajo është vetëm perspektiva evropiane. Dhe në këtë drejtim, sipas Thaçit, kemi edhe vepra konkrete, siç është procesi i Berlinit.
Sipas kësaj gazete gjermane, është parë edhe një rritje e përnjëher shme e islamit radikal në Kosovë, por Thaçi ka thënë se as Kosova nuk është imune ndaj ideologëve të ISIS-it.
Duke folur për numrin e kosovarëve që kanë luftuar dhe po luftojnë në Siri, Thaçi ka thënë se që nga fillimi i luftës e deri më sot, supozohet që kanë qenë rreth 300 persona që iu kanë bashkuar ISIS-it, por jo të gjithë këta kanë qenë luftëtarë, sepse me veti kanë marrë edhe familjet e tyre. Kurse tash, ai ka thënë se janë edhe rreth 50 kosovarë që ende luftojnë atje.
Nga gazeta gjermane Frankfurter Rundschau, zëvendëskryeministri Thaçi është pyetur edhe për pjesëmarrjen e shtetasve kosovarë në incidentin e armatosur në Maqedoni, duke aluduar në afërsinë e të vrarëve apo plagosurve me Ramush Haradinajn. Por,
Thaçi ka mohuar se ata kanë pasur mbështetje nga ndonjë parti politike.
Sipas FR, në rrugën për në BE, Serbia është disa hapa më larg se Kosova. Por, Thaçi ka theksuar se çdo shtet ka rrugën e saj drejt BE-së dhe disa janë më para në disa fusha, të tjerat në fusha tjera.
Ndërsa, i pyetur për të arriturat e dialogut me Serbinë dhe marrëveshjen e prillit, Thaçi ka thënë se marrëveshja ka qenë një e arritur e madhe për Kosovën, Serbinë dhe gjithë rajonin, pas qindra viteve konflikte, por që nga fillimi ka qenë e qartë, që implementimi do të jetë i vështirë.