Tiranë: Betohet Erjon Veliaj, e djathta braktis ceremoninë

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Erjon Veliaj është emëruar sot zyrtarisht si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ai është betuar para kryeqytetasve shqiptarë, gjatë një ceremonie të mbajtur paraditen e kësaj të enjteje në këtë institucion.
Veliaj është pritur para godinës së Bashkisë nga dhjetëra qytetarë që kishin ardhur për ta përshëndetur, ndërkohë që mirëseardhjen në emër të Bashkisë nuk ia uroi ish kryetari Lulzim Basha, por këshilltarët e PS dhe LSI.
Në fjalën e tij, Veliaj ka deklaruar se bashkë me skuadrën e tij do të punojë me të gjitha forcat për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve, por se ndryshimi i Tiranës kërkon kohën e vet.
“Nga tani Bashkia e Tiranës do të ketë një model të ri qeverisje, i cili bazohet në një parim shumë të thjeshtë; me qytetarin dhe për qytetarin. Bashkia do të punojë për qytetarët dhe qytetarët do të jenë aksionerë dhe partnerë në çdo hap të punës sonë. Pa dyshim që unë dhe skuadra që do të drejtoj Bashkinë e Tiranës, do të punoj me të gjitha mundësitë, energjinë dhe talentin që disponojmë për ti përmbushur të gjitha këto pritshmëri të qytetit tonë. Tirana nuk do të ndryshoj brenda ditës. Ndryshimi që presim dhe ndryshimi që do të sjellim me siguri kërkon kohën e vet të nevojshme por mbi të gjitha kërkon edhe bashkëpunimin tuaj. Sot si kryetar i Bashkisë unë po ju kërkoj të më jepni një dorë, për ta bërë realitet këtë ndryshim që premtuam në fushatë, së bashku ne mund të bëjmë më shumë për Tiranën,” ishin fjalët e para të kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj.
Por me këtë ceremoni nuk janë pajtuar këshilltarët e djathtë të cilët kanë braktisur sallën në momentin e betimit, duke anashkaluar edhe fjalimin e Veliajt.
Vendimin e tyre ata e kanë argumentuar me pretendimin se, prania e ministrit të Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi ishte e paligjshme. Këshilltari i djathtë Leonard Olli ka konfirmuar se sh kak për braktisjen e seancës u bë prania e paligjshme, sipas tij, e ministrit të Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi.
Me gjithë keqardhjen për mos prezencë të këshilltarëve të djathtë në këtë ceremoni Veliaj u shpreh optimist për një bashkëpunim në të ardhmen me opozitën.